Ndeshja Sllovaki-Kosovë për gjysmëfinalen e Kupës së Botës do të luhet në Bratislavë
Tashmë është vendosur se ku do të zhvillohet ndeshja gjysmëfinale për Kualifikueset e Kupës së Botës mes Sllovakisë dhe Kosovës.
Federata e Futbollit të Sllovakisë ka njoftuar se sfida do të luhet në kryeqytetin Bratislavë, në stadiumin Tehelne Pole.
Ndeshja pritet të zhvillohet të enjten, më 26 mars 2026, me fillim nga ora 20:45. Ky stadium ka një kapacitet prej 22 mijë ulëseve dhe është zgjedhur pas analizimit të tre opsioneve të mundshme, duke përfshirë edhe stadiumet në Trnavë dhe Kosice.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Sllovake të Futbollit, Peter Palencik, ka theksuar se zgjedhja është bërë pas shqyrtimit të kapacitetit, kushteve, logjistikës për të dy ekipet dhe mundësisë për ndërhyrje në raste të paparashikuara.
“Ne morëm në konsideratë stadiumet në Bratislavë, Trnavë dhe Kosice. U analizuan të gjitha rrethanat dhe në fund vendosëm që ndeshja me Kosovën të zhvillohet në Bratislavë. Këtë informacion ia përcollëm edhe UEFA-s,” tha Palencik për faqen zyrtare të Federatës sllovake.
Federata e Futbollit të Sllovakisë ka bërë të ditur gjithashtu se së shpejti do të publikohen edhe çmimet e biletave në faqen e tyre zyrtare, duke iu dhënë mundësi tifozëve të planifikojnë pjesëmarrjen në këtë ndeshje të rëndësishme.