Vushtrria dhe Liria ndeshen në barazh për “play-off”, FC Suhareka lufton per Superlige

24.05.2025

Sot po zhvillohet një ndeshje e rëndësishme në Ligën e Parë të Kosovës, ku Vushtrria dhe Liria do të përballen në barazhin që përcakton njërën nga sfiduesit për një vend në “play-off”-in e Superligës.

Interesi rritet edhe më shumë pasi fituesi i këtij takimi do të ndeshet në fazën e “play-off”-it me ekipin që do të zërë vendin e tetë në Superligë, pozitë kjo që aktualisht po “luftohet” mes Llapit dhe FC Suharekës.

Liria, e renditur e dyta në Grupin A të Ligës së Parë, do të udhëtojë drejt Klinës për t’u përballur me Vushtrrinë, e cila zuri të njëjtin pozicion në Grupin B. Të dyja ekipet do të kërkojnë me ngulm fitoren për të mbajtur gjallë ëndrrën e ngjitjes në elitën e futbollit kosovar.

Ndërkohë, sytë e tifozëve të FC Suharekës do të jenë gjithashtu të drejtuar nga ky barazh. Ekipi nga Suhareka ndodhet aktualisht në garë për të siguruar vendin e tetë në Superligë, pozitë e cila do t’i jepte atyre mundësinë të përballen me fituesin e ndeshjes Vushtrri – Liria në “play-off”. Kjo do të thotë se FC Suhareka po pret të mësojë emrin e rivalit të mundshëm në përpjekjen për të siguruar mbijetesën në Superligë.

Ndeshja e barazhit mes Vushtrrisë dhe Lirisë do të luhet në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, duke filluar nga ora 16:00. Rezultati i këtij takimi do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në planet e FC Suharekës, e cila po përgatitet për sfidën e “play-off”-it.