“Tifozat Kuq e Zi” kundër organizimit të përbashkët të Euro 2027 me Serbinë

04.02.2025

Vendimi i UEFA-s për të zyrtarizuar organizimin e Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027 në Shqipëri dhe Serbi ka shkaktuar reagime të shumta, por më së shumti ka hasur në kundërshtimin e tifozëve të kombëtares shqiptare.

Tifo-grupi zyrtar i Kombëtares së Shqipërisë në futboll, “Tifozat Kuq e Zi”, ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ky tifo-grup ka shprehur kundërshtimin e tij të fortë ndaj këtij vendimi, duke e konsideruar atë si një tradhti ndaj historisë dhe gjakut të derdhur për flamurin kombëtar.

“Do t’iu mallkojë historika dhe gjaku i mijëra dëshmorëve të rënë për flamur”, ka shkruar ky tifogrup, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë është i papranueshëm dhe i dëmshëm për imazhin e Shqipërisë.

Ky reagim i ashpër i tifozëve kuqezi tregon qartë se ky vendim i UEFA-s ka prekur thellë ndjenjat e tyre dhe se ata nuk janë të gatshëm të pranojnë një bashkëpunim me një vend që ka një të kaluar të dhimbshme me popullin shqiptar.

Ky reagim pritet të jetë vetëm fillimi i një serie protestash dhe kundërshtimesh ndaj këtij vendimi, pasi tifozët shqiptarë janë të vendosur të mbrojnë historinë dhe dinjitetin e tyre.