FFK organizon kursin për Licencën C të UEFA-s në bashkëpunim me platformën inovative Edubreak
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) vazhdon angazhimin e saj në ngritjen e cilësisë dhe edukimin e kuadrove të reja të trajnerëve, duke njoftuar hapjen e aplikimeve për kursin e ri të Licencës C të UEFA-s.
Për herë të parë, ky kurs do të organizohet në bashkëpunim me platformën e mirënjohur gjermane të mësimdhënies dhe mësim-nxënies, Edubreak, duke sjellë një dimension modern dhe interaktiv në edukimin e trajnerëve.
Kursi do të mbahet në ambientet moderne të Kampit Nacional të FFK-së në Hajvali, duke filluar nga data 04 gusht 2025. Ligjëratat dhe stërvitjet praktike do të zhvillohen intensivisht nga e hëna deri të premten.
Bashkëpunimi me Edubreak shënon një hap të rëndësishëm në dixhitalizimin e edukimit sportiv në Kosovë. Kjo platformë unike, e specializuar për organizata sportive, mundëson një proces mësimor hibrid dhe dinamik. Përmes “Social Video Learning”, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të analizojnë dhe të diskutojnë materialet video në mënyrë interaktive, duke kombinuar mësimin formal me bashkëpunimin informal dhe duke maksimizuar efikasitetin e procesit edukativ.
Pjesëmarrja në kurs është obligative për të gjithë kandidatët e regjistruar. FFK njofton se për këtë kurs nuk do të ketë nevojë për akomodim dhe fjetje në kamp.
Numri maksimal i pjesëmarrësve për këtë grup është i kufizuar në 24 kandidatë, me qëllim të ruajtjes së një standardi të lartë të mësimdhënies. Pagesa për pjesëmarrje në kurs është 350 € për person.
Kriteret e nevojshme për aplikim për Licencën C të FFK-së janë si më poshtë:
- Aplikacionet dhe formularët e regjistrimit të FFK-së të plotësuar saktësisht.
- Dy fotografi të formatit të pasaportës.
- Një certifikatë shëndetësore, jo më e vjetër se gjashtë muaj.
- Dëshmi nga gjykata që kandidati/ja nuk është i/e dënuar dhe nuk është nën hetime për ndonjë vepër penale.
- Dëshmi mbi edukimin (minimumi diploma e shkollës së mesme).
- Mosha minimale për aplikim është 18 vjeç.
Federata e Futbollit e Kosovës fton të gjithë të interesuarit që i plotësojnë këto kushte të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e gjeneratës së re të trajnerëve të kualifikuar sipas standardeve më të fundit të UEFA-s dhe teknologjisë edukative.