Fitorja e Ballkanit ndihmon Superligën e Kosovës të ngjitet në ranglistën e UEFA-s
Skuadra e Ballkanit ka shënuar një fitore të rëndësishme mbrëmjen e kaluar ndaj Shamrock Rovers me rezultat minimal 1:0, në ndeshjen e vlefshme për UEFA Conference League, e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kjo fitore nuk ka sjellë vetëm një hap drejt kualifikimit për klubin nga Suhareka, por ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në ngritjen e koeficientit të Superligës së Kosovës në ranglistën e UEFA-s. Sipas raportimeve të Indeksonline, Kosova ka kaluar Kazakistanin dhe Bosnjën, duke u ngjitur në pozitën e 37-të.
Aktualisht, Kosova përfaqësohet nga dy skuadra në garat evropiane të UEFA-s: Ballkani dhe Drita. Ndërsa Ballkani arriti të fitojë, Drita u mposht nga FCSB me rezultat 3:2 në ndeshjen tjetër të Conference League.
Çdo fitore e skuadrave kosovare në arenën ndërkombëtare i sjell Superligës pikë të vlefshme, duke kontribuar në përmirësimin e pozitës së saj në renditjen evropiane.

