Liverpool Kampioni i Premier League, shkatërron Tottenhamin në festë titulli!

27.04.2025

Nata magjike në “Anfield”! Liverpool është shpallur zyrtarisht kampion i Premier League për sezonin 2024-2025, duke kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm me një fitore spektakolare 5-1 ndaj Tottenham Hotspur.

Ekipi i drejtuar nga Arne Slot festoi titullin e 20-të në histori të klubit në mënyrën më të bukur të mundshme para tifozëve të zjarrtë.

Ndonëse Tottenham kaloi e para në avantazh në minutën e 12-të me anë të Dominic Solanke, i cili shfrytëzoi me kokë krosimin nga goditja e këndit të James Maddison, reagimi i “të kuqve” ishte i menjëhershëm. Vetëm katër minuta më vonë, Luiz Dias barazoi shifrat pas një asistimi perfekt nga Dominik Szoboszlai. Festës në “Anfield” iu shtua edhe goli i avantazhit i shënuar nga Alexis Mac Allister në minutën e 23-të, me një goditje të bukur nga hyrja e zonës së rreptësisë. Para përfundimit të pjesës së parë, në minutën e 33-të, Cody Gakpo vulosi epërsinë me golin e tretë pas një topi të ardhur nga goditja e këndit.

Në pjesën e dytë, dominimi i Liverpoolit vazhdoi. Mohamed Salah shënoi golin e katërt në minutën e 63-të, duke shuar çdo shpresë të mundshme të Tottenhamit për t’u rikthyer në lojë. Pesë minuta më vonë, në minutën e 68-të, autogoli i mbrojtësit të Tottenhamit, Destiny Udogie, vulosi shifrat përfundimtare në 5-1. Me përfundimin e ndeshjes, atmosfera në “Anfield” shpërtheu në festë të madhe, me tifozët që festuan titullin e shumëpritur të Premier League. Sezoni 2024-2025 do të mbahet mend gjatë si sezoni i triumfit të Liverpoolit.