Incident i rëndë në paradën e Liverpoolit, makinë përplas këmbësorë

26.05.2025

Një incident i rëndë ka ndodhur gjatë paradës së fituesve të Premier League në Liverpool.

Sipas njoftimit të policisë së Merseyside, një makinë ka përplasur disa këmbësorë në rrugën Water Street, afër qendrës së qytetit.

Policia ka konfirmuar se makina është ndaluar në vendngjarje dhe një burrë është arrestuar. Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e incidentit apo nëse ka të lënduar, raporton BBC, transmeton IndeksOnline.

Shërbimi i Ambulancës së Veriut të Anglisë ka konfirmuar se po trajton situatën dhe po bashkëpunon ngushtë me shërbimet e tjera emergjente. Fokusi kryesor i tyre është sigurimi i ndihmës mjekësore për këdo që mund të jetë prekur.

Në vendin e ngjarjes raportohet për një prani të madhe të forcave të policisë dhe ekipeve të shpëtimit. Autoritetet po vazhdojnë hetimet intensive për të sqaruar rrethanat e plota të këtij incidenti.

Ende nuk dihet numri i saktë i këmbësorëve të prekur dhe gjendja e tyre shëndetësore. Informacione të mëtejshme pritet të bëhen të ditura nga autoritetet në orët në vijim.