Kosova shkëlqen në Turneun “Strandja” me tre medalje pas 40 vitesh

28.02.2025

Një epokë e re po shkruhet për boksin kosovar në arenën ndërkombëtare. Përfaqësuesit e Kosovës në Turneun Ndërkombëtar “Strandja” në Sofje të Bullgarisë kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke siguruar tre medalje dhe duke shënuar një moment historik pas më shumë se 40 vitesh.

Suksesi nisi me boksieren Donjeta Sadiku, e cila me performancën e saj të shkëlqyer siguroi kalimin në gjysmëfinale.

Ajo që pasoi ishte një ditë e paharrueshme për boksin kosovar, me dy boksierë të tjerë që shkëlqyen në ring.

Bashkim Bajoku siguroi një medalje bronzi pa luftë, pasi kundërshtari i tij, Sabyrkhan Makhmud nga Kazakistani, nuk arriti të plotësojë kriteret e peshës. Kjo fitore e çoi Bajokun në gjysmëfinale, duke i dhënë Kosovës medaljen e dytë.

Loris Idrizi, në kategorinë deri në 71 kg, shkëlqeu kundër boksierit bullgar, Mitev Kristiyan. Me një performancë dominuese, Idrizi fitoi me meritë dhe siguroi medaljen e tretë të bronztë për Kosovën, duke plotësuar një ditë të artë për ekipin kosovar.