Kosova pa kapitenin Amir Rrahmani ndaj Suedisë
Kosova do të përballet me mungesë të madhe në ndeshjen e rëndësishme kundër Suedisë, pasi kapiteni i Kombëtares, Amir Rrahmani, nuk do të jetë i gatshëm për të zbritur në fushë.
Foto: Ilustrim
Lajmi u konfirmua të dielën nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
Sipas njoftimit, pavarësisht dëshirës së madhe për të luajtur, pas ekzaminimeve mjekësore të detajuara është konstatuar se Rrahmani nuk mund të rikuperohet në kohë. Lëndimi i pësuar në ndeshjen e së premtes kundër Zvicrës në Bazel e bën të pamundur paraqitjen e tij në sfidën e radhës.
“Kapiteni është liruar nga grumbullimi me ekipin kombëtar për t’u kthyer në klubin e tij, ku do të vazhdojë trajtimin mjekësor. Qëllimi është që të rikuperohet sa më shpejt dhe të rikthehet në fushë për ndeshjet e muajit tetor ndaj Sllovenisë dhe Suedisë”, thuhet në komunikatën e FFK-së.
Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Suedisë zhvillohet të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.
Mungesa e Rrahmanit pritet të jetë një sfidë e madhe për përzgjedhësin dhe ekipin, duke pasur parasysh rolin kyç të tij si lider dhe shtyllë e mbrojtjes së Kosovës.