Granit Xhaka arrin marrëveshje me një klub nga Arabia Saudite – paga 10 milionë euro në vit
Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, është shumë pranë një transferimi të bujshëm drejt kampionatit saudit, konkretisht te klubi Neom SC, i cili sapo është promovuar në Superligën e Arabisë Saudite.
Foto: Ilustrim
Sipas raportimeve të fundit, Xhaka ka arritur një marrëveshje verbale në parim me klubin saudit, ndërsa pritet të përfitojë një pagë neto prej 10 milionë euro në vit, një shifër që e bën ofertën e Neom SC më të lartën në garën për shërbimet e tij.
Përfaqësuesit e Neom SC tashmë e kanë njoftuar zyrtarisht klubin aktual të Xhakës, Bayer Leverkusen, për interesimin e tyre dhe janë në pritje të një marrëveshjeje mes klubeve. Tarifa e transferimit pritet të jetë rreth 6 milionë euro, por akoma nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare.
Nëse ky kalim nuk realizohet, në garë si alternativë e fortë është futur Fenerbahçe, ndërsa më herët gjatë këtij afati kalimtar, edhe Galatasaray kishte shfaqur interes konkret për lojtarin, por oferta e tyre financiare prej rreth 3.8 milionë euro në vit nuk është konkurruese me atë të Neom SC.
Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se Xhaka është i tunduar nga projekti financiar dhe sportiv i klubit saudit, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ai të vazhdojë karrierën në Europë nëse i ofrohen kushte të favorshme.
Bisedimet vendimtare për këtë transferim pritet të zhvillohen të hënën.