Hetimet për certifikatën e COVID-19, Granit Xhaka: Marr përgjegjësinë për vendimin

21.09.2026

Futbollisti shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka, ka reaguar publikisht lidhur me hetimet e autoriteteve zvicerane për një certifikatë të dyshuar të rreme të vaksinimit kundër COVID-19.

Prokuroria e Luzernit ka hapur procedurë ndaj Xhakës dhe një mjekeje, me qëllim të sqarimit nëse është kryer ndonjë vepër penale lidhur me marrjen ose falsifikimin e një certifikate COVID-19. Për të dy, vlen prezumimi i pafajësisë.

Në reagimin e tij, Xhaka ka pranuar se gjatë asaj periudhe kishte pasur frikë dhe pasiguri të mëdha lidhur me vaksinën kundër COVID-19.

Ai tha se, në vend që shqetësimet e tij t’i trajtonte përmes rrugëve zyrtare, kishte blerë një vërtetim vaksinimi.

“Sot e kuptoj qartë se ky veprim nuk ishte i drejtë. Ishte një gabim. Më vjen keq”, ka deklaruar Xhaka.

Futbollisti ka thënë se merr përgjegjësinë për vendimin e tij dhe se është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet zvicerane për sqarimin e çështjes.

“Do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kompetente”, ka theksuar Xhaka.