Ballkani nis sot misionin evropian, përballë Connah’s Quay në Uells
FC Ballkani sot nis rrugëtimin e saj në garat evropiane për edicionin e ri, me ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të UEFA Conference League.
Foto: Ilustrim
Ballkani do të përballet me skuadrën uellsiane Connah’s Quay Nomads, në duelin që zhvillohet sonte nga ora 19:30 në stadiumin “Llanelian Road” në Old Colwyn.
Skuadra nga Suhareka ka udhëtuar drejt Uellsit me synimin për të marrë rezultat pozitiv para ndeshjes së kthimit dhe për të vazhduar rrugëtimin në arenën ndërkombëtare.
Ballkani këtë verë ka bërë disa ndryshime në përbërje, duke rikthyer disa futbollistë me objektiv që të jetë sa më konkurrues në Evropë. Kjo është paraqitja e pestë e klubit në garat evropiane, ndërsa suharekasit kanë arritur dy herë deri në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, në sezonet 2022/23 dhe 2023/24.
Trajneri dhe futbollistët e Ballkanit synojnë që eksperienca e fituar në vitet e fundit të jetë një avantazh përballë Connah’s Quay dhe të hedhin hapin e parë drejt raundit tjetër kualifikues.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në Kosovë, ku Ballkani shpreson të sigurojë kalimin tutje me mbështetjen e tifozëve të saj.
