Ballkani dhe tetë klube të tjera të Superligës marrin licencën e UEFA-s, Suhareka e vetmja e refuzuar

02.05.2025

Komisioni i Shkallës së Parë në kuadër të Departamentit të Licencimit në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) ka publikuar vendimet për licencimin e klubeve që kanë aplikuar për të marrë pjesë në garat e UEFA-s për edicionin garues 2025/26.

Nga 11 klubet që kanë aplikuar (9 nga Superliga e meshkujve dhe 2 nga Superliga e femrave), 10 prej tyre e kanë kaluar me sukses procesin e licencimit. Kjo do të thotë se FC Ballkani, së bashku me FC Dritën, FC Malishevën, KF Ferizajn, SC Gjilanin, FC Prishtinën, KF Llapin dhe KF Dukagjinin, si dhe ekipet e femrave KFF Dukagjini dhe KFF Mitrovica, kanë fituar të drejtën që, varësisht nga rezultatet sportive në kampionat, të përfaqësojnë Kosovën në garat e organizuara nga UEFA.

Lajmi i hidhur për futbollin e Suharekës është se FC Suhareka është klubi i vetëm nga të gjithë aplikuesit që nuk ka arritur të marrë licencën e UEFA-s për edicionin e ardhshëm. Arsyet e refuzimit të licencës për klubin suharekas nuk janë bërë të ditura në njoftimin e FFK-së.

Kjo do të thotë se Ballkani, si një nga klubet kryesore të futbollit kosovar, ka siguruar edhe një herë tjetër mundësinë për të garuar në arenën ndërkombëtare, duke vazhduar kështu rrugëtimin e suksesshëm në kompeticionet e UEFA-s. Ndërkohë, refuzimi i licencës për FC Suharekën përbën një pengesë të madhe për klubin dhe tifozët e futbollit në këtë qytet.