Ndershmëri dhe bashkëpunim – Qytetari gjen një portofol me para dhe e dorëzon në polici

10.12.2025

Policia e Kosovës ka njoftuar për një akt të veçantë të ndershmërisë dhe bashkëpunimit qytetar. Dje, më 9 dhjetor 2025, në stacionin policor Qendra në Prishtinë, një qytetar i identifikuar si S.P. ka dorëzuar një portofol të humbur, që përmbante një shumë parash dhe dokumente personale.

Pas dorëzimit, policia ka bërë të mundur kthimin e portofolit te pronari i tij, duke shpërndarë mesazhin e respektit dhe vlerësimit për qytetarët që veprojnë me ndershmëri.

“Duke çmuar këtë gjest human, falënderojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Ky rast rikujton rëndësinë e ndershmërisë dhe bashkëpunimit mes qytetarëve dhe institucioneve, duke theksuar se policia mbetet adresa e parë ku qytetarët mund të besojnë dhe të gjejnë ndihmë.