Komuna e Suharekës mbështet personat me nevoja të veçanta me tender të vlefshëm për shërbime shëndetësore
para 57 dite
Komuna e Suharekës ka ndarë një tender në vlerë prej 47,725 eurosh për organizatën Handikos në Suharekë, me qëllim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore të specializuara për personat me nevoja të veçanta në këtë komunë.
Ky investim synon të përmirësojë cilësinë e jetës dhe mirëqenien e kësaj kategorie të ndjeshme të qytetarëve.
Sipas specifikimeve të detajuara të tenderit, fondet e ndara do të mbulojnë një gamë të gjerë shërbimesh të domosdoshme, duke iu përgjigjur nevojave të ndryshme të personave me aftësi të kufizuara. Këto shërbime përfshijnë:
- Shërbime Psiko-terapeutike: ky komponent synon të ofrojë mbështetje psikologjike individuale dhe në grupe, terapi loje, art-terapi dhe ndihmë psikologjike për fëmijët dhe adoleshentët. Gjithashtu, do të ofrohen këshillime psikologjike për familjet dhe kujdestarët, duke lehtësuar procesin e rritjes dhe zhvillimit sa më të shëndetshëm të fëmijëve.
- Shërbime Fizioterapeutike: këto shërbime do të ofrojnë fizioterapi të specializuar primare dhe intervenime aktive dhe pasive. Qëllimi është aplikimi i metodave individuale për secilin klient, duke përfshirë ushtrime të ndryshme, mobilizime pasive dhe aktive të ekstremiteteve, stimulim të muskujve, sidomos për fëmijët, drejtim të kohës, trajnime për përmirësimin e balancit dhe pozitës trupore.
- Shërbime Ergoterapeutike: këto shërbime do të ofrohen në mënyrë individuale në shtëpitë e klientëve. Shërbimet do të përfshijnë vlerësimin e detajuar të barrierave dhe pajisjeve përmes vizitave në shtëpi. Gjithashtu, do të ofrohet këshillim dhe trajnim për familjarët dhe stafin mbështetës, duke realizuar edhe aktivitete ditore në shtëpi, duke filluar nga higjiena personale e përgatitja e ushqimit e deri tek aktivitete të tjera.
- Shërbime Logopedike: shërbimet logopedike do të ofrohen në mënyrë individuale në qendër, por nëse është e nevojshme edhe në shtëpi për fëmijët me vështirësi në të folurit. Këto shërbime do të përfshijnë nxitjen e zhvillimit të të folurit, ndërhyrje dhe stimulim individual për artikulimin e drejtë si dhe sugjerime dhe udhëzime për mjekët.
- Shërbime të Transportit: ky komponent synon të realizojë transportin e klientëve nga vendbanimet e tyre deri në qendrën dhe anasjelltas. Transporti do të ofrohet me automjet me qasje të përshtatshme për PAK (Personat me Aftësi të Kufizuara) dhe do të jetë i lehtë, komod dhe i sigurt.
- Shërbime Rehabilituese për Pajisje Ortoprotetike: ky shërbim do të ofrojë personel të autorizuar për të jetë i gatshëm në çdo kohë në riparimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve ortoprotetike të u shërbejnë personave me aftësi të kufizuara.