Komandanti i FSK-së uron qytetarët dhe pjesëtarët e forcës për festat e fundvitit

24.12.2025

Forca e Sigurisë së Kosovës ka publikuar urimin e Komandantit të saj, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me rastin e festave të fundvitit, Krishtlindjeve katolike, Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve ortodokse.

Në mesazhin e tij, Komandanti i FSK-së u është drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës, ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe bashkëqytetarëve të besimeve të krishtera, duke i uruar për shëndet, paqe, mirësi dhe begati në familjet e tyre.

Ai ka theksuar se festat e fundvitit janë një moment reflektimi, shprese dhe afrimi njerëzor, të cilat rikujtojnë rëndësinë e solidaritetit, respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës ndërmjet qytetarëve.

Gjenerallejtënant Jashari ka vlerësuar lartë përkushtimin dhe profesionalizmin e pjesëtarëve të FSK-së, duke theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në misionin e saj fisnik për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve me integritet, profesionalizëm dhe përgjegjësi.

“Dua të falënderoj secilin prej jush për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar. Na keni bërë krenarë të gjithëve me punën dhe përkushtimin tuaj”, ka thënë ai në urimin e tij.

Në fund të mesazhit, Komandanti i FSK-së ka uruar që Viti i Ri 2026 të sjellë suksese, shëndet dhe mbarësi për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ju uroj festa të gëzuara të fundvitit dhe një Vit të Ri të mbarë për ju dhe familjet tuaja. Qoftë një vit i mbarë për të gjithë ju. Gëzuar festat e fundvitit dhe Gëzuar Vitin e Ri 2026!”, përfundon urimi i Komandantit të FSK-së.