Gjykata Kushtetuese sot hap dyert për qytetarët
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hapur sot dyert për publikun në kuadër të aktivitetit “Dita e Gjykatës së Hapur”, një ngjarje e organizuar për nder të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Foto: Ilustrim
Sipas njoftimit për media, qytetarët, studentët e drejtësisë, përfaqësues të komunitetit juridik dhe vizitorë të tjerë kanë mundësi të vizitojnë ambientet e Gjykatës, përfshirë objektin kryesor, Gjykatoren, Bibliotekën si dhe hapësirat e punës së gjyqtarëve dhe stafit mbështetës. Qëllimi i aktivitetit është që vizitorët të njihen më nga afër me punën, historikun dhe kompetencat kushtetuese të këtij institucioni të rëndësishëm.
Organizimi i vizitave do të bëhet sipas kapaciteteve të objektit dhe vetëm në grupe prej deri në 15 persona. Vizitat janë të hapura çdo orë, nga ora 10:00 deri në 14:00, ndërsa secila vizitë zgjat maksimalisht 45 minuta.
Gjykata njofton se të gjithë vizitorët mbi moshën 16 vjeç duhet të paraqesin një dokument zyrtar identiteti në recepcion – kartë studentore, letërnjoftim apo pasaportë – para hyrjes në ambientet e brendshme.
Gjatë qëndrimit në Gjykatë, vizitorëve u lejohet të bëjnë fotografi vetëm në Gjykatore dhe në oborrin e objektit.
Me këtë aktivitet, Gjykata Kushtetuese synon të promovojë transparencën, qasjen publike dhe rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës.