Sllovenia nxit rritjen ekonomike me reforma të reja tatimore, rrit pragun e hyrjes në TVSH
Kuvendi i Sllovenisë miratoi një paketë të gjerë reformash tatimore, me të cilat qeveria synon të bëjë vendin më atraktiv për investime dhe të nxisë rritjen ekonomike.
Ndryshimet e reja, që do të hyjnë në fuqi në janar të vitit 2025, përqendrohen në disa shtylla kryesore: tërheqja e talenteve të reja, inkurajimi i inovacionit dhe lehtësimi i biznesit.
Një nga masat më të spikatura të paketës është lehtësimi i tatimit mbi të ardhurat për të rinjtë nën 40 vjeç që kthehen në Slloveni pas studimeve ose punës jashtë vendit, si dhe për shtetasit e huaj të kualifikuar që vendosen në vend. Ata që fitojnë të paktën dyfishin e pagës mesatare do të përfitojnë nga një normë tatimore më e ulët prej 7% për pesë vitet e para. Kjo masë synon të rrisë numrin e profesionistëve të kualifikuar në vend dhe të forcojë konkurrencën në tregun e punës.
Lehtësime për bizneset e vogla dhe rritje e TVSH-së për pijet e ëmbla
Për të lehtësuar biznesin, veçanërisht për bizneset e vogla, qeveria ka rritur pragun për identifikimin e detyrueshëm dhe llogaritjen e TVSH-së, nga 50,000 euro qarkullim vjetor, në 60,000 euro. Gjithashtu, është futur mundësia e identifikimit të përbashkët për qëllime të TVSH-së të disa tatimpaguesve.
Nga ana tjetër, për të luftuar obezitetin dhe sëmundjet e tjera kronike, qeveria ka vendosur të rrisë TVSH-në për pijet me sheqer dhe ëmbëlsues të shtuar.