Tre shtetas të Kosovës kapen në Slloveni duke ofruar ilegalisht botoks, gjobiten me nga 2,500 euro
Sipas autoriteteve sllovene, shtetasit kosovarë po ofronin trajtime estetike me Botox dhe mbushës dermalë pa pasur licencë dhe pa leje nga Ministria e Shëndetësisë, duke vepruar në një ambient banimi në Maribor. Aktiviteti i paligjshëm u zbulua pas një raportimi anonim në rrjete sociale, ku shërbimet reklamoheshin në grupe të mbyllura.
Inspektorja shëndetësore Andreja Mojškrc bëri të ditur se, pas marrjes së informacionit, Inspektorati siguroi urdhër nga Gjykata e Qarkut të Mariborit për kontroll shtëpie. Gjatë bastisjes u sekuestruan 133 ampula me Botox, mbushës dermalë, preparate për shkrirjen e dhjamit dhe produkte të tjera, të cilat klasifikohen si ilaçe dhe përbëjnë rrezik të lartë nëse përdoren pa kompetencë profesionale.
Autoritetet paralajmëruan se përdorimi i gabuar i këtyre produkteve mund të shkaktojë infeksione bakteriale, virale ose kërpudhore, ënjtje të përhershme, gunga në lëkurë, e në rastet më të rënda verbëri të pjesshme ose të plotë, bllokim të enëve të gjakut dhe vdekje të indeve të lëkurës.
Sipas raportimit nga mediumi Urgjent bëhet e ditur se njëra nga të përfshirat, e cila kishte filluar injektimet që nga viti i kaluar pa asnjë leje zyrtare, u shpall përgjegjëse nga Gjykata e Qarkut e Mariborit dhe u gjobit me 1,250 euro. Përveç kësaj, Drejtori i Zyrës Financiare të Mariborit, Marko Horvat, konfirmoi se një shtetas i Kosovës po ushtronte veprimtari shëndetësore pa regjistrim dhe po punësonte ilegalisht shtetas të tjerë të Kosovës. Për shkelje të ndryshme, përfshirë reklamim të paautorizuar, punë të paligjshme dhe punësim të paligjshëm, u shqiptuan gjoba në vlerë prej 2,500 eurosh dhe u konfiskuan përfitime pasurore prej 600 eurosh.
Policia e Mariborit konfirmoi se gjatë kontrollit shtëpiak u vërtetua se tre shtetas të Kosovës po ofronin shërbime mjekësore të paautorizuara. Njëri prej tyre u dërgua për marrje në pyetje dhe u gjobit, ndërsa dy të tjerët u ndëshkuan për shkelje të Ligjit për të Huajt. Njëra u gjobit me 800 euro për mungesë leje qëndrimi dhe mori vendim për kthim vullnetar, një tjetër u gjobit dhe u urdhërua të largohet vullnetarisht, ndërsa personi i tretë u ndëshkua me 2,000 euro për ndihmë në qëndrim ilegal në territorin e Republikës së Sllovenisë.
Inspektorati theksoi se çmimet e këtyre shërbimeve nuk ishin më të ulëta se në klinika të licencuara, gjë që autoritetet e cilësuan si shqetësuese. Për të zbuluar rastin, inspektorët përdorën edhe mbikëqyrje të fshehtë dhe blerje të simuluara si klientë.
Autoritetet sllovene rikujtojnë se shërbimet shëndetësore dhe estetike mund të ofrohen vetëm nga mjekë me licencë të vlefshme dhe në ambiente të autorizuara, duke paralajmëruar se rastet e shkeljeve të tilla do të trajtohen me zero tolerancë.