Kroaci, asgjësohen domate dhe pjeshkë nga Shqipëria për shkak të mbetjeve toksike
Kroacia ka asgjësuar 4 tonë domate të prodhuara në Shqipëri, pasi analizat laboratorike zbuluan mbetje të rrezikshme të insekticidit chlorfenapyr në sasi pesë herë më të lartë se norma e lejuar.
Foto: Ilustrim
Sipas njoftimit të publikuar nga Autoriteti Europian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), niveli maksimal i lejuar është 0.01 mg/kg, ndërsa rezultatet për domatet shqiptare të kultivuara në tokat e Beratit kanë arritur në 0.06 mg/kg. Produktet e ndaluara janë groposur nga shteti kroat dhe nuk kanë arritur në tregjet e konsumatorëve europianë.
Ky nuk është rasti i parë i ngjashëm këtë muaj. Më 22 gusht, Kroacia kishte ndaluar edhe një sasi prej 5 tonësh pjeshkë nga Divjaka, pasi u gjet nivel i lartë i metalit të rëndë nikel në përmbajtjen e tyre. Autoritetet kroate kanë ndërmarrë masat e menjëhershme duke i asgjësuar frutat për të parandaluar rreziqet shëndetësore.
Sipas ekspertëve, problemet kryesore lidhen me mosrespektimin e kohës së shpërbërjes së pesticideve, e njohur ndryshe si karencë. Fermerët shpesh i vjelin produktet shumë herët, pa lënë kohë të mjaftueshme që kimikatet të shpërbëhen. Kjo jo vetëm që rrezikon shëndetin e konsumatorëve, por sjell edhe pasoja financiare për eksportuesit shqiptarë dhe ulje të besueshmërisë së produkteve “Made in Albania”.
Pedagogu i UBT, Fredi Brahusi, thekson se situata mund të jetë pasojë jo vetëm e mosrespektimit të karencës, por edhe e përdorimit të mbidozave dhe mungesës së alternimit të insekticideve. “Kur përdoret gjithmonë i njëjti kimikat, ai grumbullohet në tokë dhe bimë dhe përfundon në produkt, pasi nuk shpërbëhet”, shprehet ai.
Chlorfenapyr dhe grupet e ngjashme të insekticideve janë veçanërisht toksike. Sipas Brahusit, përdorimi pa kriter i tyre mund të shkaktojë rënie të imunitetit, sëmundje alergjike, dhe në raste më të rënda, probleme me riprodhimin dhe infertilitetin, duke penguar shtatzënitë. Këto efekte të rënda tregojnë se problematika nuk është thjesht ekonomike, por prek drejtpërdrejt shëndetin publik.
Ndërkohë që Kroacia ka vepruar me masa të rrepta për të mbrojtur konsumatorët e saj, në Shqipëri mbetet e paqartë nëse domatet e Beratit apo pjeshkët e Divjakës kanë përfunduar në tregun e brendshëm. Gjatë gjithë muajit gusht, inspektorët shqiptarë të ushqimit nuk kanë dhënë asnjë paralajmërim apo alert për këto produkte. Kjo hap pikëpyetje serioze mbi sigurinë e ushqimeve që konsumohen brenda vendit.