Sezoni i alergjisë nis herët, rastet në rritje: Mjekët alarmantë për zgjatjen e simptomave

14.03.2025

Sezoni i alergjisë këtë vit ka nisur më herët se zakonisht, duke shënuar një rritje të ndjeshme të rasteve dhe zgjatje të periudhës së sëmundjes, sipas mjekëve alergologë.

Që nga fundi i janarit, pacientët kanë filluar të paraqiten me simptoma të ndryshme alergjike, duke alarmuar ekspertët për një trend shqetësues.

Mjekja alergologe, Mirela Hitaj, thekson se sëmundjet alergjike janë trefishuar gjatë dekadës së fundit, me rinokonjuktivitetet alergjike që dominojnë. “Më shumë dominojnë rinokonjuktovitet alergjike që kanë të bëjnë me të teshtitura, bllokim hundësh, kruajtje sysh, dermatite. Ndonjëherë këto shenja të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes zbresin poshtë dhe pacientët na paraqiten me marrje frymë, kollë të thatë të vazhdueshme. Nga viti në vit shohim një agravim edhe të shenjave klinike, por edhe të zgjatjes së periudhës së sëmundjes,” shpjegon Hitaj.

Dallimi mes Alergjisë dhe Virozës Stinore

Me qarkullimin e virozës stinore, shumë pacientë ngatërrojnë simptomat, por mjekët bëjnë dallimin e qartë. “Një virozë zakonisht shoqërohet me temperaturë, ndërsa në sëmundjet alergjike, pacientët nuk kanë temperaturë. Zgjatja e simptomave të virozës është e shkurtër, ndërsa për pacientët me alergji, simptomat vazhdojnë për një kohë të gjatë,” sqaron Hitaj.

Thirrje për Ndërgjegjësim dhe Trajtim të Hershëm

Mjekja Hitaj bën thirrje për ndërgjegjësim dhe paraqitje të hershme tek alergologu për të parandaluar agravimin e sëmundjes. “Duhet të jetë i ndërgjegjësuar që të vijë te alergologu dhe përveç mjekimit bën edhe imunoterapinë specifike që është një lloj vaksinimi që bëhet për ta bërë sëmundjen më të lehtë,” thekson ajo.

Faktorët që Ndikojnë në Rritjen e Alergjive

Ngrohja globale, mbipopullimi, ndotja e ajrit nga automjetet dhe zgjatja e polinozave të pranverës janë disa nga faktorët kryesorë që kontribuojnë në rritjen e llojeve të ndryshme të alergjive dhe zgjatjen e periudhës së sëmundjes.