Rritet numri i rasteve me grip sezonal në Kosovë, IKSHPK bën thirrje për vaksinim
Faik Hoti, specialist i shëndetit publik në IKSHPK, kërkon nga qytetarët të mos e nënvështruajnë rrezikun e gripit sezonal.
Numri i rasteve me grip sezonal në Kosovë është në rritje, duke konfirmuar trendet sezonale të kësaj sëmundjeje. Faik Hoti, specialist i shëndetit publik në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka shprehur shqetësim për këtë situatë dhe ka bërë thirrje për vaksinim.
Sipas Hotit, janari është zakonisht një muaj kur rastet me grip sezonal shënojnë një rritje të ndjeshme. Këtë vit, trendi po vazhdon, me një rritje prej 15% të rasteve krahasuar me javën e kaluar.
“Është e rëndësishme që qytetarët të jenë të vetëdijshëm për këtë rritje dhe të marrin masat e nevojshme për të mbrojtur shëndetin e tyre,” tha Hoti për RTK.
IKSHPK ka siguruar 85 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal, nga të cilat rreth 65 mijë janë administruar deri më tani. Kategoritë më të vaksinuara janë të moshuarit, personat me sëmundje kronike, profesionistët e shëndetit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.
“Edhe pse një pjesë e madhe e popullsisë është vaksinuar, ende kemi në dispozicion rreth 20 mijë doza,” tha Hoti. “Vaksinimi është mënyra më efektive për të parandaluar gripin dhe për të lehtësuar simptomat nëse infeksioni ndodh.”