Rriten rastet me fruth në Kosovë, IKShPK raporton 47 të konfirmuara dhe kërkon vaksinimin e fëmijëve
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se numri i rasteve të konfirmuara me fruth në vend ka arritur në 47.
Foto: Ilustrim
Sipas të dhënave të fundit, rastet janë raportuar gjatë periudhës 16 prill deri më 29 qershor 2026, ndërsa numri më i madh i të prekurve është regjistruar në komunën e Prishtinës me 14 raste dhe në Ferizaj me 12 raste.
Raste me fruth janë raportuar edhe në Kaçanik (6), Fushë-Kosovë (3), ndërsa Lipjani, Vushtrria, Shtimja dhe Obiliqi kanë nga 2 raste. Me nga një rast janë regjistruar komunat Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.
IKShPK ka apeluar qytetarët që të tregojnë kujdes ndaj simptomave të dyshimta të fruthit, si temperatura e lartë, skuqjet në lëkurë, kolla, rrufa dhe konjuktiviti, duke kërkuar që personat me këto shenja të drejtohen menjëherë në institucionet shëndetësore.
Instituti ka theksuar se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime, duke bërë thirrje për prindërit dhe kujdestarët që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas kalendarit të rregullt.
Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e përhapjes së fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
