Rrezik nga përhapja e fruthit në shkolla dhe kopshte – IKSHPK apelon për vaksinimin e fëmijëve

28.08.2025

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka ngritur alarmin për rrezikun e përhapjes së fruthit me fillimin e vitit të ri shkollor.

Deri tani në vend janë regjistruar 50 raste të fruthit, një sëmundje jashtëzakonisht ngjitëse që përhapet shpejt mes fëmijëve të pavaksinuar.

Sipas Dr. Fetije Fetaj, drejtoreshë e vaksinimit në IKSHPK, është urgjente që të gjithë fëmijët nga mosha 2 muaj deri në 6 vjeç të kenë të plotësuar kalendarin e vaksinimit dhe të pajisen me vërtetimin përkatës. “Çdo fëmijë që regjistrohet në klasë të parë, në kopsht apo në çerdhe duhet të vaksinohet, sepse i duhen të paktën dy javë organizmit për të krijuar imunitetin e nevojshëm,” ka theksuar ajo për Radio Kosovën.

IKSHP ka vënë re se një pjesë e prindërve, për arsye të ndryshme, kanë shtyrë oraret e vaksinimit. Kjo e rrit ndjeshëm rrezikun e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse. “Janë 13 sëmundje që mund të kërcënojnë fëmijët nëse nuk vaksinohen me kohë,” tha Dr. Fetaj, duke nënvizuar se fruthi është aktualisht më i rrezikshmi.

Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP kanë vendosur që fëmijët të vaksinohen para regjistrimit në klasë të parë, ndërsa doza e dytë e vaksinës kundër fruthit jepet në klasën e parë. Për regjistrim në shkolla dhe kopshte është i detyrueshëm një vërtetim unik që lëshohet nga mjekët në njësitë e vaksinimit.

“Qendrat e Mjekësisë Familjare kanë listat e fëmijëve që duhet të vaksinohen dhe kontaktimi i prindërve po bëhet një nga një. Me 1 shtator kjo do të kontrollohet përsëri, sepse disa fëmijë janë regjistruar pa e marrë vaksinën,” ka sqaruar Dr. Fetaj, duke theksuar se vaksinimi është i detyrueshëm me ligj.

Rastet e fundit kanë treguar se edhe pak fëmijë të pavaksinuar mjaftojnë për përhapjen e shpejtë të virusit. “Në një çerdhe, prej 100 fëmijëve, tre që nuk ishin vaksinuar u prekën nga fruthi. Kjo tregon sa e kontagioze është sëmundja,” ka thënë Dr. Fetaj.

Aktualisht, fruthi është në qarkullim në Kosovë dhe sipas ekspertëve rreziku më i madh është që me fillimin e vitit të ri shkollor dhe grumbullimin e fëmijëve në klasa, kopshte e çerdhe, përhapja të marrë përmasa më të gjera nëse nuk sigurohet mbulimi i plotë me vaksina.

IKSHP apelon që të gjithë prindërit të verifikojnë listën e vaksinimit të fëmijëve të tyre në qendrat e mjekësisë familjare dhe të sigurojnë vërtetimin para se fëmijët të hyjnë në shkollë ose në institucionet parashkollore. “Ende nuk është vonë për t’u vaksinuar, por duhet bërë sa më shpejt, që fëmijët të jenë të mbrojtur kur të fillojë mësimi,” përfundoi Dr. Fetije Fetaj.