QMF-të të mbingarkuara, Sadiku: Po qarkullojnë tri lloje të gripave

20.01.2024

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka bërë të ditur se Qendrat e Mjekësisë Familjare në kryeqytet kanë pranuar rreth 61 mijë vizita të pacientëve të prekur nga gripi sezonal. Sadiku është shprehur për EO se në Kosovë aktualisht po qarkullojnë tri lloje të gripave, si dhe virusi COVID-19. Sa i përket […]

QMF-të të mbingarkuara, Sadiku: Po qarkullojnë tri lloje të gripave Foto: Ilustrim

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka bërë të ditur se Qendrat e Mjekësisë Familjare në kryeqytet kanë pranuar rreth 61 mijë vizita të pacientëve të prekur nga gripi sezonal.

Sadiku është shprehur për EO se në Kosovë aktualisht po qarkullojnë tri lloje të gripave, si dhe virusi COVID-19.

Sa i përket shërbimeve mjekësore, ai thotë se QMF-të e Prishtinës kanë ofruar 200 mijë të tilla, rritje e madhe krahasuar me muajin dhjetor.

“Kemi një numër shumë të madh një fluks ju e dini që edhe në javën e kaluar Ministria e Shëndetësisë e ka shpallur me rekomandim të IKShPK-së si gjendje epidemisë së gripit në Kosovë dhe realisht sipas informatave në Kosovë janë duke qarkulluar tre virus, virusi i gripit, pastaj Covid-19 dhe virusi që njihet në popull si virusi gripi derrave dhe kemi pasur tre virus që qarkullojnë nëpër opinion dhe kjo ka ndikuar që me u rrit fluksi i pacientëve dhe kërkesa e tyre për shërbime mjekësore”, ka deklaruar Sadiku.

E shkak i numrit të madh të pacientëve, Sadiku thotë se edhe stafi është i mbingarkuar.

“Vetëm për 14 ditë kemi pasur në kryeqytet 61 mijë vizita ose diku rreth 200 mijë shërbime mjekësorë për 14 ditë që ika ra vetëm që e krahasojmë me dhjetorin diku 15 për qind më shumë se në dhjetor kemi pasur kërkesa që bie që kemi një fluks të rritur të pacientëve të cilët janë shumica e tyre janë si pasojë e paraqitjes së epidemisë së gripit dhe këtu ka ndiku që stafi ynë me u ngarku dhe ju e dini që fatkeqësisht Prishtina është e pranueshme. Një sekret publik është kjo që Prishtina ka numër të vogël të punëtoreve shëndetësor numri i punëtorëve shëndetësor është i njëjtë prej vitit 2000, prandaj ne e dimë sa ka ndryshuar numri i banorëve në Prishtinë dhe ky staf që është sot në Prishtinë bazohet në regjistrimin e popullsisë së vitit 2011”, u shpreh Sadiku.

E lajm të mirë Sadiku e konsideron projektin për regjistrimin e pacientëve për mjek familjar. Ai ka ftuar qytetarët që të regjistrohen, në të kundërtën nuk do të mund të marrin shërbime mjekësore.

“Ministria e Shëndetësisë në këtë vite e ka filluar një projekt pilotim për regjistrimin e pacientit për mjek familjar. Në Prishtinë është duke ndodh në dy lagje, në Dardani dhe Breg Diellit dhe po ftojë përmes jush qytetarët që me u regjistru me caktu mjekun familjar për arsye se nëse nuk e caktojnë mjekun familjar nuk kanë më mujt me marr shërbime. Prandaj qytetarët që janë jorezident në Prishtinë që jetojnë në Prishtinë po e kanë një vendbanim dikun tjetër por krejt shërbimet i marrin në Prishtinë e kanë momentin që me u regjistrua si banorë të Prishtinës, nëse dëshirojnë që të ardhmen me marr shërbime mjekësorë në Prishtinë”, deklaroi ai.

E shkak i daljes së stafit në pension, Komuna e Prishtinës ka arritur që t’i punësojë 30 punëtorë shëndetësor, gjysma mjekë e gjysma tjetër infermierë.

“Nuk është shtuar asnjëherë numri prej vitit 2000. E ka të njëjtin staf, ne krejt çka po mundohemi me bë tani është që do ta kemi një konkurs për pranim të stafit të ri në bazë të asaj sa janë dal në pension. Ne kemi një numër të stafit që pensionohet gjatë vitit dhe ky numër që është pensionua të vitit 2023 është hapur një konkurs dhe kemi marrë 15 mjekë të rinj dhe kemi marrë rreth 15 infermierë”, theksoi Sadiku.