Numri i rasteve të kancerit në Kosovë mbetet stabil, pacientët shqetësohen për mungesë stafi
Numri i personave të prekur nga kanceri në fillim të vitit 2024 në Kosovë ka mbetur stabil, duke shënuar rreth 180 raste të reja në dy muajt e parë, shifër e ngjashme me periudhën e njëjtë të viteve 2022 dhe 2023.
Megjithatë, pacientët e Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ngrenë shqetësimin për numrin e vogël të personelit shëndetësor.
Bedri Ramadani, një pacient që po merr terapinë e dytë në këtë klinikë, shprehet i kënaqur me shërbimet, por thekson se mungesa e stafit është një problem i dukshëm. “Super, sot është hera e dytë, por po më duket pak personel e shumë pacientë, ajo vetëm ajo,” thotë ai. Ramadani vlerëson lart sjelljen e infermierëve, duke shtuar: “Shumë, shumë, shumë motrat sillen mirë.”
Një tjetër paciente, Arnisa Osmani, e cila vazhdon të vizitojë klinikën edhe pas përfundimit të terapisë, ndan një përvojë të ngjashme. “Gjithmonë më thonë, Arnisa, tani ti je mirë, mos u kthe prapë në Onkologji. Ani pse unë vij këtu e marrë zometen (lloj medikamenti), eja si një person, jo si paciente,” thotë Osmani.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, konfirmon që në janar 2024 janë regjistruar rreth 180 raste të reja me kancer. “Viti 2024 në Klinikën e Onkologjisë janë regjistruar rreth 2150 raste sa në vitin 2023. Ndërkaq në muajin janar numri ka qenë përafërsisht i njëjtë me muajin janar 2024 dhe janë rreth 180 raste të reja të cilat ne i kemi identifikuar e kemi filluar trajtimin e tyre në Klinikën e Onkologjisë. Kjo shihet se është një trend stabil pra jo një ngritje në krahasim me vitin 2022 e 2021,” shpjegon ai.
Kurtishi tregon se llojet më të shpeshta të kancerit të trajtuara në klinikë janë:
- Kanceri i gjirit te femrat (rreth 40-45 raste të reja në muaj)
- Kanceri i mushkërive te meshkujt (dhe disa femra, rreth 20-25 raste në muaj)
- Tumoret e zorrës së trashë
- Kanceri i qafës së mitrës dhe vezoreve te femrat.
Në periudhën janar-shkurt, rreth 80-85 femra janë identifikuar me kancer të gjirit në Klinikën e Onkologjisë.