IKSHPK del informata për parandalimin dhe kujdesin e Metapneumovirusit Njerëzor (hMPV)
Ndonëse autoritetet shëndetësore botërore nuk e kanë cilësuar situatën me human MetaPneumovirusin (hMPV) si emergjencë globale shëndetësore, rritja e rasteve me infeksione respiratore gjatë dimrit ka nxitur masat për monitorim dhe informim të publikut.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me Zyrën e OBSH-së në Kosovë, ka ndarë informata të rëndësishme për qytetarët, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit dhe masave parandaluese.
Çfarë është hMPV dhe si përhapet?
Metapneumovirusi njerëzor (hMPV) është një virus i zakonshëm respirator, i zbuluar për herë të parë në vitin 2001 nga shkencëtarët holandezë. Ky virus ndjek një model sezonal, duke arritur kulmin në dimër ose në fillim të pranverës. Ai përhapet përmes:
- Pikave gjatë kollitjes dhe teshtitjes.
- Kontaktit të ngushtë personal, si puthja, prekja ose shtrëngimi i duarve.
- Prekjes së objekteve të kontaminuara dhe më pas prekjes së gojës, hundës ose syve.
Simptomat e hMPV
Simptomat më të zakonshme përfshijnë:
- Kollë.
- Ethe.
- Kongjestion nazal.
- Fishkëllimë në frymëmarrje.
Shumica e rasteve janë të lehta dhe ngjajnë me të ftohtin e zakonshëm. Megjithatë, për personat e ndjeshëm, si fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe ata me imunitet të dobësuar, virusi mund të shkaktojë bronkit ose pneumoni.
Kush është në rrezik?
Grupet më të rrezikuara për komplikime serioze janë:
- Foshnjat dhe fëmijët e vegjël.
- Personat me imunitet të kompromentuar.
- Të moshuarit.
- Personat me sëmundje kronike të mushkërive, si astma ose COPD.
Masat për parandalim
IKSHPK rekomandon masa të thjeshta për të parandaluar përhapjen e hMPV dhe infeksioneve respiratore:
- Qëndroni në shtëpi kur jeni të sëmurë.
- Mbani maska në ambiente të mbushura ose me ajrosje të dobët.
- Lani duart rregullisht me ujë dhe sapun.
- Mbuloni kollën dhe teshtitjen me pecetë ose bërryl.
- Shmangni prekjen e fytyrës me duar të palara.
- Konsultohuni me mjekun për marrjen e vaksinave të rekomanduara kundër gripit sezonal.
Trajtimi dhe kujdesi
Aktualisht, nuk ka trajtim specifik ose vaksinë për hMPV. Kujdesi shëndetësor është kryesisht simptomatik, dhe në shumicën e rasteve, virusi kalon vetë. Për lehtësimin e simptomave, mjekët mund të rekomandojnë barna pa recetë ose, në raste të rënda, inhalatorë përfishkëllimën dhe kollën.
IKSHPK inkurajon qytetarët të ndjekin këto masa për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të komunitetit, veçanërisht gjatë sezonit të dimrit kur rreziku i infeksioneve respiratore është më i lartë.