IKSHPK apelon për kujdes: Ndiqni udhëzimet për mbrojtje nga vala e të nxehtit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka publikuar sot udhëzime të rëndësishme për qytetarët, pasi vendi po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit, ku pritet që temperaturat të jenë jashtëzakonisht të larta.
Foto: Ilustrim
Sipas IKSHPK-së, temperaturat e larta, sidomos ato të qëndrueshme gjatë ditës dhe natës, mund të shkaktojnë stres në organizëm dhe të rrisin rrezikun për probleme shëndetësore serioze, veçanërisht për grupet e ndjeshme si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
Masat që duhen marrë për mbrojtje nga të nxehtit:
- Shmangni ekspozimin në të nxehtë: Qëndroni në hije dhe kufizoni daljet jashtë gjatë orëve më të nxehta (10:00–17:00). Këshillohet të kalohen disa orë në ambiente të freskëta ose me ajër të kondicionuar.
- Qëndroni të hidratuar dhe të freskët: Vishuni me rroba të lehta dhe prej pambuku, bëni dush të freskët ose freskoni trupin me ujë, dhe pini ujë në mënyrë të rregullt – të paktën një gotë çdo orë, që përkthehet në 2-3 litra në ditë.
- Freskoni ambientin e shtëpisë: Gjatë natës ajrosni dhomat, ndërsa gjatë ditës mbani të mbyllura dritaret dhe përdorni perde për të parandaluar hyrjen e rrezeve të diellit.
Kujdes i shtuar për grupet e ndjeshme:
- Të moshuarit mbi 65 vjeç: Mbani kontakte të rregullta me ta, sidomos nëse vuajnë nga sëmundje kronike, kanë aftësi të kufizuara ose jetojnë vetëm.
- Fëmijët: Nuk duhet të lihen kurrë në veturë të parkuar, as për kohë të shkurtër. Gjithashtu, duhet të shmanget qëndrimi i tyre në diell gjatë orëve më të nxehta.
Në rast urgjence, qytetarët këshillohen të kontaktojnë mjekun më të afërt ose të thërrasin numrin emergjent 194.
IKSHPK u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin këto masa me seriozitet për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të familjarëve nga efektet e të nxehtit ekstrem.