IKSHPK apelon për kujdes: Gripi sezonal mund të shkaktojë komplikime serioze shëndetësore
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se gripi sezonal është një sëmundje akute infektive, e cila në një numër të konsiderueshëm rastesh mund të shkaktojë komplikime serioze shëndetësore.
Sipas IKSHPK-së, rreziku është më i lartë te fëmijët, të moshuarit si dhe te personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Instituti rikujton se parandalimi mbetet forma më e mirë e mbrojtjes nga kjo sëmundje.
Në këtë drejtim, IKSHPK thekson se vaksina kundër gripit sezonal është mënyra më efektive për të reduktuar rrezikun e infektimit dhe për të parandaluar përhapjen e virusit.
Po ashtu, Instituti ka dhënë disa këshilla për mbrojtje nga gripi sezonal, duke rekomanduar që qytetarët të:
Lajnë duart shpesh me ujë dhe sapun
Mbulonin gojën dhe hundën kur kolliten ose teshtijnë
Shmangin kontaktin e ngushtë me persona të sëmurë
Qëndrojnë në shtëpi nëse janë të sëmurë
Ushqehen shëndetshëm dhe të pinë sa më shumë lëngje
Vaksinohen çdo vit kundër gripit sezonal
IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë këto masa parandaluese për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të personave përreth.