Policia jep detaje për vdekjen e Shemit: Iu përkeqësua gjendja shëndetësore në banesë

23.12.2025

Policia e Kosovës ka dhënë detaje zyrtare lidhur me vdekjen e këngëtarit të njohur Shemi të Ilirëve, ngjarje që ka ndodhur në Prishtinë.

Sipas raportit policor, viktimës, mashkull kosovar, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore derisa ndodhej në banesën e tij, në rrugën “UÇK”, më 22 dhjetor 2025, rreth orës 14:50.

“Raportohet se viktimës mashkull kosovar, për derisa ishte në banesën e tij i është keqësuar gjendja shëndetësore. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Autoritetet bëjnë të ditur se rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa priten rezultatet e obduksionit për të sqaruar rrethanat e sakta të vdekjes.