Prokuroria kërkon paraburgim për zyrtarin doganor që dëmtoi buxhetin mbi 3 mijë euro
Një oficer doganor dhe një transportues mallrash janë arrestuar të enjten në Pikën Kufitare në Vërmicë, në kuadër të një aksioni të Njësisë për Anti-kontrabandë.
Foto: Ilustrim
Të dyshuarit dyshohet se janë përfshirë në një rast kontrabande, duke shmangur procedurat e kontrollit dhe detyrimet doganore.
Sot, Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të pandehurin I.K., zyrtar doganor në PKK Vërmicë, i cili dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas kërkesës së prokurorisë, më 16 korrik 2025, rreth orës 19:17, i pandehuri I.K., duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, ka tejkaluar kompetencat dhe ka lejuar kalimin pa kontroll të një furgoni të markës “Mercedes Sprinter 316 CDI”, të drejtuar nga A.K., transportues mallrash.
Në vend që të kryente kontrollet e zakonshme – hapjen e bagazhit dhe verifikimin e mallit – zyrtari doganor nuk e ka kontrolluar fare automjetin dhe e ka regjistruar në sistemin “SEED” si të zbrazët. Pamjet e siguruara nga kamerat e kabinës doganore tregojnë një komunikim mes dy të dyshuarve, fillimisht brenda kabinës dhe më pas jashtë saj, para se transportuesi të largohej me furgon, pa u ndaluar.
Furgoni u ndal më pas në rrugën e vjetër Vërmicë–Prizren, afër një restoranti, nga Njësia për Anti-kontrabandë. Gjatë kontrollit u zbulua se automjeti ishte i ngarkuar me mallra komerciale – patika sportive të ndryshme me vlerë 11,457.60 euro, ndërsa detyrimet doganore që do të duhej të paguheshin ishin 3,414.36 euro.
Sipas prokurorisë, me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 3,414.36 euro.
Hetimet janë në zhvillim, ndërsa pritet vendimi i gjykatës për kërkesën e paraburgimit ndaj zyrtarit të dyshuar. Policia dhe autoritetet doganore kanë deklaruar se veprimet e këtilla nuk do të tolerohen dhe do të ndiqen penalisht të gjithë ata që shkelin ligjin dhe dëmtojnë interesin publik.