Prizren, ngrihet aktakuzë ndaj një personi dhe kompanie për punime ndërtimore të kundërligjshme
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër një personi të identifikuar me inicialet I.J., si dhe ndaj kompanisë “E.I.” Sh.P.K., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 5 prill – 23 prill 2024, në rrugën “Adnan Krasniqi” në Prizren, të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me lejen ndërtimore duke filluar ndërtimin e një aneksi shtesë mbi katin e shtatë të një objekti banimi kolektiv me lokale afariste. Pavarësisht urdhrit të lëshuar nga Inspektorati për ndalimin e punimeve, ata kanë vazhduar aktivitetet ndërtimore, duke përfshirë betonimin e pllakës dhe vendosjen e shtyllave dhe traut mbi strukturën ekzistuese.
Për më tepër, të pandehurit kanë hequr në mënyrë të kundërligjshme shiritat zyrtarë të vendosur nga Inspektorati i Komunës së Prizrenit, të cilët kishin për qëllim ndalimin e punimeve të mëtejshme në objektin në fjalë.
Me këto veprime, I.J. dhe subjekti juridik “E.I.” Sh.P.K. akuzohen për shkelje të nenit 360 paragrafi 1 dhe nenit 406 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin.