Një muaj paraburgim ndaj prokurorit Beqë Shala nën dyshimin për ryshfet

29.10.2025

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh Beqë Shalës- prokuror tashmë i pezulluar në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, nën dyshimin për veprën penale ”Marrje ryshfeti”.

Kështu konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Masa e paraburgimit, të dyshuarit Shala iu caktua pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë, po ashtu gjykata vlerësoj se cdo masë tjetër do të ishte e pamajftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”, njofton Gjykata.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, pas kësaj seance, prokurori special Valdet Gashi tha para mediave se kërkesën për caktimin e paraburgimit  e kanë bazuar në disa prova që janë siguruar gjatë fazës së hetimeve.