Aktakuzë ndaj gjashtë personave për trafikim të narkotikëve në Suharekë, njëri akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave me inicialet S.K., A.K., F.F., L.A., A.F. dhe D.G., të cilët dyshohen për shitblerje dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike në Suharekë. Ndërkaq, njëri prej tyre, A.K., akuzohet edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve.
Foto: Ilustrim
Sipas Prokurorisë, gjatë hetimeve dhe kontrolleve të zhvilluara janë sekuestruar rreth 740 gramë substanca narkotike, përfshirë mbi 400 gramë marihuanë dhe mbi 330 gramë kokainë. Po ashtu janë konfiskuar një pistoletë e tipit M57 me karikator dhe katër fishekë, tre automjete, peshore digjitale, pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për aktivitetin kriminal, si dhe 2,200 euro dhe 500 franga zvicerane që dyshohet se janë përfituar nga veprat penale.
Sipas aktakuzës, veprimtaria e të pandehurve është zhvilluar në periudha të ndryshme gjatë viteve 2025 dhe 2026, ndërsa një pjesë e tyre akuzohen se kanë vepruar në bashkëkryerje në shpërndarjen e kokainës në Suharekë dhe zona të tjera.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe të miratohet konfiskimi i narkotikëve, armës, automjeteve dhe mjeteve financiare të sekuestruara.
Shënim: Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
