Ngrihet aktakuzë ndaj Igor Popoviq për nxitje të urrejtjes etnike në një fjalim publik në Rahovec
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë”, për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe e mosdurimit”.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 18 korrik 2025, rreth orës 12:00, në Rahovec, ku i pandehuri ka mbajtur një fjalim publik me përmbajtje nxitëse dhe gjuhë urrejtjeje, drejtuar një mase të gjerë qytetarësh.
Në fjalimin e tij, Popoviq kishte deklaruar, ndër të tjera:
“…Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste”, për të vazhduar me thirrje si:
“Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe…”
Prokuroria vlerëson se me këtë fjalim, Popoviq ka nxitur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike në Kosovë, duke cenuar bashkëjetesën dhe duke përkeqësuar ndjeshëm klimën e besimit ndërmjet komuniteteve.
I akuzuari ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë. Për këtë arsye, Prokuroria Speciale ka dorëzuar në gjykatë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë, përveç aktakuzës.
Rasti pritet të trajtohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë në bazë të procedurave të parashikuara për raste të pranimit të fajësisë.