Mamushë, ngritet aktakuzë ndaj 5 personave zyrtarë

24.12.2024

Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare: Dëmi material mbi 120 mijë euro

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër pesë të pandehurve, me inicialet S.M., F.T., E.M., F.M., dhe V.Sh., për dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje, bazuar në nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 29 janar 2021, në Komunën e Mamushës. Të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve publikë dhe anëtarëve të Komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga vërshimet, dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat e tyre për të përfituar dobi financiare në kundërshtim me ligjin.

S.M., si kryetar i komisionit, dhe F.T., E.M., F.M., dhe V.Sh., si anëtarë, kanë përpiluar një raport mbi dëmet dhe një listë prej 169 përfituesish për ndihmë financiare në shumën prej 416,874.77 euro. Nga kjo shumë:

• 97,456.61 euro dyshohet se u janë ndarë 43 fermerëve në kundërshtim me opinionin ligjor të Ministrisë së Bujqësisë.

• 22,936.70 euro janë përfituar nga 13 persona që nuk ishin fare fermerë.

Në total, buxheti i Republikës së Kosovës ka pësuar një dëm material prej 120,393.31 euro.

Prokurori i çështjes ka kërkuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen në përputhje me dispozitat ligjore.