Konfiskohen mbi 200 mijë euro pasuri, sekuestrohen mbi 3.7 milionë, por shitja e automjeteve të bllokuara mbetet problem
Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Shipqdon Fazliu, ka publikuar raportin tremujor për periudhën tetor-dhjetor 2024, duke evidentuar progres në konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Ky raport u publikua në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës të hënën, ku sipas raportit, gjatë këtij tremujori janë konfiskuar pasuri në vlerë prej 207 mijë euro në 7 raste, ndërsa vlera e pasurive të sekuestruara ka arritur mbi 3,7 milionë euro në 51 raste.
Megjithatë, sipas Shqipdon Fazliut, problem i vazhdueshëm mbetet mos shitja e pasurive të sekuestruara, sidomos automjeteve. Sipas raportit, disa automjete të sekuestruara qëndrojnë të bllokuara për më shumë se 5-6 vite, pa u bërë kërkesë për shitje, e kjo sipas tij po shkakton dëme të vazhdueshme në buxhetin e shtetit.
“Në tre mujorin e fundit janë raportuar pasuri të konfiskuara në shumën e 207 mijë euro, në 7 raste, ndërsa vlera e sekuestrimeve për këtë tre mujor e kap vlerën e mbi 3,7 milion euro pasuri të sekuestruara apo në 51 raste të ndryshme. Kjo është një veçori pozitive… Për dallim nga hera e kaluar, ku nuk kemi pasur asnjë kërkesë nga PS këtë tre mujor janë shfaqur katër kërkesa për shitje… Në gjatë ditëve dhe javëve të kaluara kemi kërkuar nga ana e koordinatorëve lokal që të intensifikohet puna në paraqitjen e kërkesave të tilla, nga përgjigja që kemi pranuar shihet se ka prokurori dhe prokurorë që nuk kanë kthyer fare përgjigje në këtë çështje”, tha Fazliu.
Ai shtoi se janë pajisur kryeprokurori i shtetit dhe kryesuesi me lista të posaçme të secilës prokurori, ku mund të shihet se ka prokurori dhe prokurorë që më tepër se pesë apo gjashtë vite kanë veturat e sekuestruara, mirëpo nuk kanë paraqitur kërkesa për shitje.
“Buxheti i shtetit po vazhdon që të dëmtohet në mënyrë të vazhdueshme me këtë çështje. Tash e tutje mbetet te ju që të vlerësohet një mos veprim i tillë që rezulton në një dështim në kryerjen e funksioneve prokuroriale dhe në dëmtimin e buxhetit qoftë të Kosovës, qoftë në paraqitjen e padive nga ana e të pandehurve në rast se do t’ju kthehet vetura pas disa vitesh”, përfundoi ai.