KPK reagon ndaj deklaratave të kryeministrit Kurti

23.12.2023

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të sotme të Kryeministrit të Kosovës, sipas të cilit, Prokuroria i Shtetit nuk ka ngritur aktakuzë të shumta për sulmin në Banjskë të Zveçanit. Me këtë rast, KPK-ja thekson se, Prokuroria Speciale, në përputhje me ligjin, operon si një institucion i pavarur dhe bashkëpunon me të gjitha […]

KPK reagon ndaj deklaratave të kryeministrit Kurti Foto: Ilustrim

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të sotme të Kryeministrit të Kosovës, sipas të cilit, Prokuroria i Shtetit nuk ka ngritur aktakuzë të shumta për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Me këtë rast, KPK-ja thekson se, Prokuroria Speciale, në përputhje me ligjin, operon si një institucion i pavarur dhe bashkëpunon me të gjitha institucionet e sundimit të ligjit për mbledhjen e fakteve.

Gjithashtu, Këshilli, shprehet qartë edhe njëherë se, kjo prokurori kompetente është gjithmonë në dispozicion për të ndarë informacionin e nevojshëm me publikun dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, duke pasur parasysh gjithnjë parimet e mbrojtjes së informacionit dhe hetimeve aktuale.

Rrjedhimisht, KPK-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës që të lejojë të gjitha organet të veprojnë në përputhje me ligjet dhe autorizimet e vlefshme në vend dhe se këto deklarata i quan paraqitje publike të ricikluara të Kryeministrit që kanë përmbajtje tendencioze ndaj institucionit të Prokurori të Shtetit dhe bazohen në veprime jokorrekte, joetike, të padinjitetshme dhe mbi paragjykime dhe hamendësime të shpeshta, të cilat po bëhen në secilin rast që atij dhe anëtarëve të kabinetit të tij iu jepet mundësia.

Përmes këtij reagimi publik, KPK-ja i bënë thirrje Kryeministrit Kurti që të qëndrojë larg institucioneve të sistemit prokurorial dhe të mos ndërhyjë në institucionet e pavarura kushtetuese, siç është Prokurori i Shtetit, për të tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me institucionin e Prokurorit të Shtetit dhe punën e prokurorive dhe prokurorëve të shtetit, ngaqë si të tilla përbëjnë shkelje të patolerueshme në punën e pavarur të institucioneve prokuroriale.

“Prandaj, KPK-ja, përfundimisht, dënon keqpërdorimin e fjalës së lirë nga ana e Kryeministrit Kurti, duke potencuar se sistemi prokurorial nuk do të ndikohet këto deklarata që vijnë nga qarqet e larta politike, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti që është në dëm të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim të KPK-së.