Për shkak të performancës së dobët, propozohet shkarkimi i Hava Krasniqit nga pozita e prokurores

10.05.2024

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK)  në takimin e datës 7 maj 2024 ka marrë vendim për propozim-shkarkimin e prokurores së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Hava Krasniqi.

Për shkak të performancës së dobët, propozohet shkarkimi i Hava Krasniqit nga pozita e prokurores Foto: Ilustrim

Në njoftimin e KPK-së të publikuar pas takimit të 247-të, thuhet se ka miratuar raportin përfundimtar për vlerësimin e parregullt të performancës së një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

“Refuzoi kundërshtimin e parashtruar dhe miratoi Raportin përfundimtar për vlerësimin e parregullt të performancës së një (1) prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, me ç’rast mori vendim që propozimin për shkarkimin e tij ta dërgojë te Presidentja e vendit”, thuhej në njoftim.

Sipas burimeve të “Betimit për Drejtësi”, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka bërë kërkesë në Komisioni për Vlerësim të Performancës së Prokurorëve, për vlerësim të parregullt (jashtëzakonshëm) të performancës së prokurores Hava Krasniqi, pas një gabimi të bërë nga kjo prokurore në një lëndë që e ka pasur në trajtim.

Po sipas këtyre burimeve, Komisioni për Vlerësim të Performancës së Prokurorëve ka vlerësuar që performanca e prokurores Krasniqi është e pamjaftueshme, ndërsa Raportin e vlerësimit të performances së kësaj prokurore e ka dërguar në KPK, ku kjo e fundit e ka miratuar raportin e Komisionit.

Në bazë të informatave që ka “Betimi për Drejtësi”, prokurorja Hava Krasniqi edhe dy vlerësimet e fundit të rregullta të performancës se saj i ka pasur të pamjaftueshme, ku nga KPK ishte dërguar në trajnim të detyrueshëm, trajnim të cilin nuk e ka kaluar me sukses.

Lidhur me propozimin e KPK-së për shkarkimin e saj, “Betimi për Drejtësi” e ka kontaktuar edhe prokuroren Krasniqi, e cila ka thënë se është në pushim mjekësor dhe nuk ka informata.

“Jam në pushim mjekësor. Jo jo, nuk kam informata”, tha ajo e që më pas e mbylli telefonin kur u pyet se a e ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës kundër vlerësimit të Komisionit.

Ndryshe, prokuroja Hava Krasniqi ishte prokurore në rastin e Sebahate Morinës, për të cilën Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se i është shkelur e drejta për jetë. Lidhur me këtë rast, KPK më 26 qershor 2023, kishte marrë vendim për zvogëlim të pagës 30% për një vit për prokuroren Hava Krasniq, ndërsa ky vendim i KPK-së ishte konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme më 1 gusht 2023.

Vendimi i KPK-së për zvogëlim të pagës 30% për një vit për prokuroren Hava Krasniq ishte kundërshtuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe familja e viktimës Sebahate Morina, përmes një komunikate për medie.