Akuzohen për krime lufte, gjykata cakton seancën fillestare ndaj tre serbëve
Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka caktuar më 22 dhjetor datën e mbajtjes së seancës së shqyrtimit fillestar ndaj tre të pandehurve të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Të akuzuarit në këtë rast janë Dusan Gavraniq, Zoran Saraç dhe Zharko Cvetanoviq, ndaj të cilëve Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për përfshirje në veprime që përbëjnë krime lufte.
Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës, gjykimi pritet të zhvillohet në mungesë, për shkak se të pandehurit kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
“Gjykata u bën thirrje të pandehurve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes,” thuhet në njoftim, ndërsa njëkohësisht bëhet apel për qytetarët që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i raportojnë ato tek Policia e Kosovës ose organet përkatëse kompetente.
Ky rast paraqet një hap të rëndësishëm në procesin e ndjekjes penale për krimet e kryera gjatë luftës, duke reflektuar përkushtimin e institucioneve të drejtësisë në trajtimin e krimeve të së kaluarës dhe ofrimin e drejtësisë për viktimat.