Zbulim i ri armësh dhe uniformash ushtarake në Banjskë

08.03.2025

Një tjetër zbulim i rëndësishëm armësh dhe uniformash ushtarake është bërë në fshatin Banjskë të Mitrovicës Veriore, duke ngritur sërish shqetësime për sigurinë në rajon.

Sipas informacioneve të Policisë së Kosovës, zbulimi u bë pas një njoftimi nga KFOR-i amerikan, të cilët hasën në mjete të dyshimta në një mulli të vjetër të braktisur në këtë fshat.

Njësitë policore kanë reaguar menjëherë duke konfiskuar një sërë mjetesh, ndër të cilat:

  • Uniforma ushtarake
  • 3 gjoksore për mbajtjen e armatimit
  • 1 palë pantallona ushtarake
  • 3 jakne ushtarake
  • 1 maice ushtarake
  • 3 granata dore
  • 3 karikatorë të zbrazët të armës së gjatë
  • 2 shok bomba
  • 1 bombë ndriçuese
  • 28 fishekë të armës së gjatë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore, ndërsa të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit. Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar të armëve”, dhe rasti është nën hetime.

Ky zbulim i ri vjen në një kohë kur siguria në veri të Kosovës mbetet një çështje e ndjeshme. Zbulimi i një sasie të tillë armatimi dhe uniformash ushtarake ngre pikëpyetje të rënda mbi qëllimin e këtyre mjeteve dhe praninë e mundshme të grupeve të armatosura në këtë zonë.

https://www.facebook.com/KosovoPolice/posts/pfbid02cuBEbsRLBdiuDfLW5RqZtdWEmf9hBYpJ5Ft2XLoELxAgmMXhfiVXgezvc8xZ46zbl