Suspendohet zyrtari policor, i dyshuar për kontrabandë me mallra

28.03.2024

Dy ditë më parë, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë pranuar informacione nga Policia e Kosovës, për një rast të dyshuar për kontrabandë të mallit, ku dyshohej se ishte përfshirë një zyrtar policor.

Suspendohet zyrtari policor, i dyshuar për kontrabandë me mallra Foto: Ilustrim

IPK-ja ka bërë të ditur se hetuesit menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe kanë ndërmarre veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

Pas ndërmarrjes dhe veprimeve paraprake, hetuesit e IPK-së kanë gjetur se zyrtari policor (me detyrë në Njësitin Rajonal të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë) ka kontrabanduar mall përmes pikës kufitare Qafë Prush në vlerë prej mbi 4000 eurosh (kamera, alarme dhe mjete tjera për internet) duke vozitur dhe përdorur një veturë private.

Hetuesit e IPK-së kanë intervistuar disa dëshmitarë dhe të dyshuarin, dhe në konsultim me Prokurorinë kane iniciuar rastin “Kontrabandim me mallra”.