Suharekë, rrahen mes vete tre persona, u konfiskohet armë dhe përfundojnë në pranga

16.07.2025

Një përleshje fizike mes tre personave ka përfunduar me lëndime të rënda trupore për njërin prej të përfshirëve, mbrëmjen e së hënës në rrugën “Brigada 123” në Suharekë.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 15 korrik 2025 rreth orës 21:30, kur pas një mosmarrëveshjeje mes tre meshkujve kosovarë ka shpërthyer një zënkë fizike, e cila përshkallëzoi në dhunë të ashpër. Si pasojë, njëri prej të përfshirëve ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor.

Gjatë ndërhyrjes së policisë, është zbuluar se njëri nga të dyshuarit posedonte një revole me tetë fishekë, e cila është konfiskuar në vendin e ngjarjes.

Me urdhër të prokurorit të rastit, të tre personat e dyshuar janë ndaluar dhe janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme hetimore.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar motivet dhe rrethanat e sakta të këtij incidenti të rëndë, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë thirrje për shmangie të dhunës dhe respektim të rendit publik.