Shtetasi britanik kapet me 30 “boxa” cigare pa banderola në Aeroportin e Prishtinës
Një tentim për të kontrabanduar një sasi të madhe cigaresh pa banderola në Britani të Madhe është dështuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Një shtetas britanik është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe më pas është dërguar në zyrat e Doganës së Kosovës, ku është konfiskuar një sasi prej 30 shteka cigare pa akcisa.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, i dyshuari është kontrolluar nëpërmjet skanerëve gjatë procedurës së kontrollit të pasagjerëve. Në valixhen e dorës dhe çantën e krahut të tij janë zbuluar një sasi e konsiderueshme cigare, të fshehura në mënyrë që të mos bien në sy.
Pas numërimit të saktë, është konstatuar se i dyshuari kishte me vete 30 shteka cigare pa banderola, të cilat janë sekuestruar menjëherë nga ana e Doganës.
Ky rast tregon përkushtimin e institucioneve të Kosovës në luftën kundër kontrabandës dhe shmangies së pagesës së taksave. Dogana e Kosovës vazhdon të jetë e vendosur në mbrojtjen e interesit të shtetit dhe në parandalimin e veprimeve të paligjshme.