Rritje shqetësuese e rasteve të dhunës në familje, 9 të tilla vetëm të shtunën

24.08.2025

Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës ka zbuluar një numër shqetësues të rasteve të dhunës në familje, me gjithsej nëntë incidente të regjistruara nëpër rajone të ndryshme të vendit.

Rritje shqetësuese e rasteve të dhunës në familje, 9 të tilla vetëm të shtunën Foto: Ilustrim

Shqetësuese mbetet fakti se shumë prej këtyre rasteve kanë rezultuar në lëndime fizike, ndërsa disa të dyshuar janë liruar me procedurë të rregullt.

Në Prishtinë janë iniciuar tri raste gjatë ditës së djeshme. Njëri rast përfshinte dy gra që u përleshën pas një mosmarrëveshjeje, por refuzuan trajtimin mjekësor dhe u liruan. Në një tjetër rast, një burrë dhe një grua u përleshën fizikisht, duke marrë lëndime e duke u ofruar trajtim mjekësor, por edhe ata u liruan më pas. Rasti i tretë ishte kur një burrë kanosi dhe sulmoi dy gra. Edhe ky i dyshuar, pas arrestimit, u lirua me urdhër të prokurorit.

Dhuna vazhdoi edhe në rajone të tjera. Në Kamenicë, një burrë u arrestua pasi sulmoi fizikisht një grua, por ai u ndalua në qendrën e mbajtjes. Në anën tjetër, në Pejë, një grua raportoi se u ofendua dhe u sulmua, duke pësuar lëndime, ndërsa rasti është nën hetime. Gjithashtu, një burrë u arrestua pasi dëmtoi pronën e një personi tjetër, por u lirua. Një rast tjetër i dhunës psikologjike është raportuar nga një burrë në Pejë, i cili merr mesazhe kërcënuese nga një person që ndodhet jashtë Kosovës.

Një nga rastet më të rënda u shënua në Rahovec, ku një burrë, nën ndikim të alkoolit, ushtroi dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij. Ai u ndalua, ndërsa policia i konfiskoi edhe një pushkë gjuetie me leje. Në Vushtrri, tre burra u arrestuan pasi u përleshën fizikisht mes vete, duke i shkaktuar lëndime njëri-tjetrit, por edhe këta u liruan pas intervistimit.