Publikohet udhëzuesi për hyrje, lëvizje, qëndrim dhe punësim në Kosovë
Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe shtetasit e huaj që ndodhen ose planifikojnë të vizitojnë vendin, se janë publikuar broshurat informuese digjitale mbi rregullat e hyrjes, lëvizjes, qëndrimit dhe punësimit të të huajve në Republikën e Kosovës, në përputhje me Ligjin për të huajt.
Foto: Ilustrim
Udhëzuesi i publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës ofron informacione për hyrjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve në Republikën e Kosovës. Çdo person që nuk është shtetas i Kosovës konsiderohet i huaj dhe duhet t’i përmbahet ligjeve në fuqi gjatë qëndrimit.
Qeveria përcakton regjimin e vizave dhe ofron disa lloje vizash për transit dhe qëndrim deri në 90 ditë ose për marrjen e lejes së qëndrimit. Hyrja mund të refuzohet në mungesë të dokumenteve, vizës ose mjeteve financiare, apo kur personi paraqet rrezik për sigurinë publike.
Ekzistojnë tre lloje qëndrimesh: afatshkurtër, i përkohshëm dhe i përhershëm. Qëndrimi i përkohshëm jepet për arsye si ribashkim familjar, studime, punë ose arsye humanitare. Për qëndrim të përhershëm kërkohen pesë vite qëndrim i pandërprerë, sigurim shëndetësor dhe njohuri të një gjuhe zyrtare.
Të huajt që duan të punojnë në Kosovë duhet të pajisen me leje pune dhe lejeqëndrim, ndërsa për punë afatshkurtër leja merret nga Agjencia e Punësimit. Autoritetet mund të urdhërojnë largimin vullnetar ose me forcë në rast shkeljesh, me të drejtë ankese brenda 8 ditësh.
Ky udhëzues synon të ndihmojë të huajt të njohin procedurat dhe detyrimet ligjore për një qëndrim të rregullt dhe të sigurt në Kosovë.