Prizren, kërcënoi viktimën e fajdës që të ndryshojë deklaratën, arrestohet në Merdarë
Në një operacion të përbashkët të kryer nga Sektori i Hetimeve Rajonale në Prizren dhe Prokuroria Themelore e Prizrenit, është arrestuar një person i dyshuar për përfshirje në një rast kërcënimi të viktimës.
I dyshuari, identifikuar si A. SH. (i lindur në vitin 1997), është arrestuar më 20 janar 2025. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka përdorur rrjetet sociale për të kërcënuar viktimën e një fajdeje, duke i kërkuar të tërhiqet nga deklaratat e dhëna në lidhje me këtë rast.
Hetimet e Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë zbuluar se i dyshuari A. SH. ka dërguar mesazhe kërcënuese nëpërmjet Facebook-ut, duke ushtruar presion ndaj viktimës që të ndryshojë dëshminë e tij në favor të një personi tjetër, D. SH.
Duke marrë parasysh rrethanat e rastit, Prokurori i çështjes ka urdhëruar futjen e të dyshuarit në listën e personave të kërkuar, pasi ai ishte larguar nga Kosova dhe ndodhej në Serbi.
Më datë 20 janar, A. SH. është ndaluar në pikën kufitare të Merdarës dhe është shoqëruar në Stacionin e Policisë në Prizren për intervistim. Pas marrjes së dëshmisë së tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në paraburgim për 48 orë.