Pesë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit, viktimat janë gra

03.11.2025

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar disa raste të dhunës në familje në qytete të ndryshme të vendit.

Në shumicën e rasteve, të dyshuarit janë arrestuar, ndërsa ndaj tyre janë marrë masa ligjore me vendim të prokurorëve përkatës.

Në Lipjan, është arrestuar një person nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje kosovare. Me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një tjetër rast është raportuar në Prishtinë, ku një grua ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga një burrë. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Ndërkohë, në Obiliq, policia ka arrestuar dy burra të cilët dyshohen se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Viktima ka marrë trajtim mjekësor dhe më pas është strehuar tek familja e saj. Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Rast tjetër i dhunës është regjistruar në Rahovec, ku një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës gruaje. Viktima ka marrë trajtim mjekësor në QKMF-Rahovec dhe më pas, me vullnetin e saj, është larguar për tek familja e saj. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Gjithashtu, në Gjakovë, policia ka arrestuar një person që pas një mosmarrëveshjeje kishte ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, është strehuar tek familja e saj dhe ka kërkuar urdhër mbrojtës. Edhe në këtë rast, i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Policia e Kosovës ka theksuar se po vazhdon me veprimet e saj ligjore dhe parandaluese për të trajtuar me prioritet rastet e dhunës në familje dhe për të siguruar mbrojtjen e viktimave në të gjitha rastet e raportuara.