Policia sekuestron tetë granata dore, armë dhe mbi 2 mijë fishekë në Zubin Potok

13.10.2026

Policia e Kosovës ka realizuar sot një operacion në dy lokacione të ndryshme në komunën e Zubin Potokut, ku ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion, granata dore dhe pajisje të tjera ilegale.

Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është zhvilluar pas informacioneve të pranuara nga qytetarët, të cilët kishin raportuar për praninë e mundshme të armëve dhe mjeteve të tjera të jashtëligjshme në dy objekte të pabanuara.

Në rastin e parë, në fshatin Parucë, gjatë kontrollit të një objekti të pabanuar që shërbente si shtallë për bagëti, policia ka sekuestruar katër granata dore, municion, një tytë të pushkës së gjuetisë, pajisje për mbushjen e fishekëve, katër kuti me barot, një maskë ushtarake kundër gazit dhe një bajonetë ushtarake.

Ndërkaq, në rastin e dytë, në fshatin Ranqiq, gjatë kontrollit të një objekti tjetër të pabanuar, janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, katër granata dore dhe 2,056 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Policia ka bërë të ditur se deri në këtë fazë nuk ka persona të arrestuar lidhur me këto dy raste.

Në vendngjarje kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (IEOD), të cilat kanë bërë tërheqjen e kontrolluar të mjeteve eksplozive.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë iniciuar raste për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, duke theksuar se informacionet e tyre po vazhdojnë të japin rezultate konkrete në luftimin e veprimtarive të jashtëligjshme. Njëkohësisht, ka ftuar qytetarët që çdo informacion të rëndësishëm për sigurinë publike ta raportojnë në numrin 192.