“Përqendrohu në rrugë” – Policia e Kosovës shqipton mijëra gjoba gjatë javës së sigurisë rrugore
Policia e Kosovës ka përmbyllur me sukses aktivitetet e planifikuara në kuadër të fushatës evropiane ROADPOL 2025, që u zhvillua nga data 6 deri më 12 tetor 2025, me fokus të veçantë në rritjen e sigurisë në trafikun rrugor dhe ndërgjegjësimin e shoferëve për sjellje më të kujdesshme gjatë vozitjes.
Foto: Ilustrim
Fushata me moton “Përqendrohu në rrugë”, e cila është pjesë e aktiviteteve të Rrjetit Evropian të Policive Rrugore (ROADPOL), kishte për qëllim adresimin e shkeljeve më të zakonshme dhe të rrezikshme që shkaktojnë aksidente në komunikacionin rrugor. Në veçanti, janë vënë në fokus mospërdorimi i telefonit mobil gjatë ngasjes, tejkalimi i shpejtësisë së lejuar dhe mospërdorimi i rripit të sigurisë.
Gjatë javës së kontrollit të shtuar, njësitë e trafikut të Policisë së Kosovës kanë realizuar gjithsej:
- 1,702 pika kontrolli në rrugët e Kosovës,
- 10,416 automjete janë ndaluar dhe kontrolluar,
- 385 gjoba janë shqiptuar për përdorim të telefonit gjatë vozitjes,
- 4,908 shoferë janë gjobitur për tejkalim të shpejtësisë,
- 312 gjoba janë shqiptuar për mospërdorim të rripit të sigurisë.
Këto të dhëna tregojnë një angazhim të shtuar të Policisë së Kosovës në drejtim të parandalimit të aksidenteve dhe edukimit të pjesëmarrësve në trafik. Shifrat e larta të shkeljeve të identifikuara gjatë vetëm një jave nënvizojnë nevojën për respektim më të madh të rregullave të trafikut dhe rritjen e vetëdijes qytetare.
Policia ka bërë të ditur se aktivitete të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në përpjekje për të ulur numrin e aksidenteve dhe për të garantuar një mjedis më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.